“Një ditëlindje pa Mirush Kabashin” – kështu u quajt mbrëmja artistike që Gjakova ia kushtoi një prej figurave më të ndritura dhe më të spikatura të artit shqiptar.
Në foajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” u hap ekspozita “Mes teatrit dhe filmit” – një galeri me fotografi që pasqyrojnë rolet brilante të Kabashit në skenë dhe në ekran.
Në këtë mbrëmje të veçantë nderimi dhe kujtimi për aktorin, u promovua edhe libri “Mirush Kabashi – Sokrati Shqiptar” nga autorja Driada Dervishi, e cila theksoi lidhjen shpirtërore mes artistit dhe Gjakovës.
Prezent ishte edhe vajza e artistit, Mendi Kabashi, e cila emocionoi publikun me fjalët e saj për dashurinë e aktorit për Gjakovën, duke shprehur mes tjerash: “ Është nder dhe krenari të jem sonte në Gjakovë – qyteti i rrënjëve tona.”
Në Teatrin “Hadi Shehu” u shfaq dokumentari “100 maska, 1 shpirt” nga regjisori Eliodor Markja, që sjell jetën dhe artin e pakrahasueshëm të Kabashit përmes rrëfimesh e pamjesh të paharrueshme.
Mbrëmja u përmbyll me një performancë shpirtërore nga grupi “Ashikët”, që i dha notën e fundit kësaj simfonie kujtimi.
