Eshtë mbajtur mbledhja e tretë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, e udhëhequr nga kryesuesi Shefqet Shehu.
Në fillim të mbledhjes, anëtarja e re e kuvendit Fjolla Dashi Gola dha betimin, ndërsa më pas, sipas rendit të ditës, u shqyrtua procesverbali nga mbledhja e kaluar dhe kuvendarët parashtruan pyetje për ekzekutivin komunal dhe kryetarin e komunës Ardian Gjini.
Gjatë kësaj mbledhjeje, kuvendi gjithashtu bëri zëvendësimin e anëtares tashmë të dorëhequr të kuvendit dhe të Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), deputetes së zgjedhur Mimoza Shala.
Në vijim u bë rishqyrtimi i Vendimit për miratimin e Planit të Veprimit për Transparencë, si dhe u shqyrtua Raporti i Performancës për vitin 2024.
Para kuvendit u prezantua edhe raporti i vlerësimit për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit. Ky raport, pas miratimit, do të dërgohet në Qeverinë e Kosovës në pritje të kompensimit të dëmeve.
Në përmbyllje të mbledhjes u formua edhe grupi joformal i grave të Kuvendit të Komunës së Gjakovës, ndërsa për kryesuese të këtij grupi u zgjodh anëtarja e kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Daija – Fejza.