Komiteti për Komunitete sot ka mbajtur mbledhjen e tretë për këtë vit, e cila është udhëhequr nga kryesuesja Elvane Qorri.
Në këtë takim të radhës nga Shpat Nivokazi, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është dhënë një raport për projektet në zhvillim të kësaj drejtorie, e të cilat kanë të bëjnë me komunitetet. Nga të dhënat e raportuara nga z. Nivokazi, kjo drejtori ka shpallur tenderin për tridhjetë e pesë sera, ku sipas tyre të gjitha aplikimeve të evidentuara, ka qenë vetëm një aplikues nga komunitetet. Sipas drejtorit Shpat Nivokazi, në saje të ligjeve dhe rregulloreve do të shikohen mundësitë për mbështetje eventuale të atij aplikuesi. Njëherit, nga Armend Behluli, udhëheqës i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, është dhënë njoftimi para anëtarëve të këtij komiteti se kjo zyrë ka aplikuar në ambasadën gjermane për një grant për katër sera, ku në rast përfitimi ambasada gjermane do të participonte me tetë mijë euro, Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me dy mijë euro, si dhe Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim me një mijë euro.
Ferdinand Kolaj, drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, ka bërë të ditur se tashmë është mbyllur thirrja publike për grante të bizneseve të cilat i plotësojnë kriteret për një aplikim të tillë. Edhe në këtë rast, sipas të dhënave nga drejtori Kolaj, ka qenë një aplikues nga komunitetet, prej mbi dyzet aplikacioneve të tërësishme. Për këto grante të bizneseve do të ndahen tetëdhjetë mijë euro dhe ndër kriteret për përfitimin e tyre janë që bizneset duhet të vetëfinancojnë minimalisht me njëzet përqind të shumës, lehtësira për komunitete, gra dhe të rinjë.