Nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës Ardian Gjini, është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi .
Major Milazim Lumi Komandant në Stacionin Policor në Gjakovë, raportoi lidhur me çështjen e sigurisë në komunën tonë. Ai deklaroi se gjendja e sigurisë është stabile, duke përmendur faktin se 12% të rasteve të paraqitura në polici, nuk janë të rënda. Poashtu, ai informoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie të vjedhjeve të rënda në 41%.
Ndërkaq, Drejtoresha për Arsim Eranda Kumnova Baçi, raportoi për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në shkollat tona. Ajo informoi se gjysëmjetori i dytë ka filluar me të gjitha përgatitjet e nevojshme. “Gjatë kësaj periudhe siguria në shkolla është stabile, ndërkohë që bashkëpunimi ynë me Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë është korrekt” tha ajo. Ndër të tjera, Drejtoresha foli për Planin Zhvillimor Komunal i cili sipas saj do të dalë shumë shpejtë për miratim në mbledhje të Asamblesë Komunale.
Gjatë kësaj mbledhje, Kryetari Gjini ngriti shqetësimin për dukurinë e parkimit të automjeteve në vende jo-adekuate, edhepse Komuna e Gjakovës ka funksionalizuar parkingje të reja. Major Lumi tha se pjesëtarët e policisë vazhdimisht po punojnë për eliminimin e kësaj problematike por që nevojitet vetëdijësimi dhe bashkëpunimi edhe nga ana e qytetarëve të komunës sonë.