Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, me ç ‘rast pas trajtimit të secilës veç e veç edhe është bërë miratimi i të gjitha pikave të rendit të ditës dhe kalimi i tyre për shqyrtim në kuvendin komunal.
Fillimisht nga kryesuesi Anton Shala është bërë prezantimi i planit të punës së kuvendit për periudhën Mars – Dhjetor 2018. Ky plan, së bashku me njoftimin se në mbledhjen e radhës së kuvendit të komunës do të bëhet prezantimi i planit të punës së ekzekutivit për vitin 2018, ka gjetur miratimin e anëtarëve të KPF-së.
Blerta Qela, bashkëpunëtore profesionale për informim e kryetarit të komunës, ka prezantuar planin e transparencës në komunën e Gjakovës për vitin 2018, ndërsa para se të miratohej ka dhënë detaje se bëhet fjalë për një plan prej gjashtë objektivave me qëllim të rritjes së transparencës në komunë.
Edhe pikat tjera në shqyrtim në këtë rend dite kanë marrë miratimin. Nga major Kristë Gjokaj, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë është bërë prezantimi i planit të punës se KKSB-së për vitin 2018, ku ka veçuar se përfshin pesëmbëdhjetë objektiva që kryesisht kanë të bëjnë me aspektin e sigurisë.
Durim Halijaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka prezantuar raportin final financiar të komunës së Gjakovës për vitin 2017 si dhe ka kërkuar bartjen (rialokimin) e buxhetit të pashpenzuar nga viti i kaluar në vitin 2018, ndërkohë që më pas është arritur pajtueshmëria për themelimin e Komitetit për Shërbime Publike (KPSH), si dhe themelimin e Komisionit te Ankesave për dhënien ne shfrytëzim te pronës komunale .
Nga anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa janë miratuar edhe kërkesat e KEDS-it, që kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale në disa parcela në lokacione të ndryshme të komunës së Gjakovës.