Kuvendi Komunal i Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e parë për vitin 2018, ku pas miratimit të rendit të ditës të propozuar nga kryesuesi Anton Shala, është proceduar me pikat e rendit të ditës.
Për shkak të marrjes së posteve qeverisëse lokale dhe disa ndryshimeve që janë bërë nga disa subjekte politike, fillimisht është bërë betimi i tre këshilltarëve të rinjë komunal, si Albina Sadrija nga AAK, Jeton Vorfi nga Alternativa dhe Miranda Lushaj nga PDK. Më pas, sipas rendit të ditës është bërë edhe themelimi i dy komiteteve obligative, Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete.
Pas propozimit të kryesuesit të Kuvendit, Anton Shala, dhe miratimit me vota nga ana e këshilltarëve komunal, është arritur në pajtueshmëri që në Komitetin për Politikë dhe Financa të ketë përfshirje të të gjitha subjekteve politike. Komiteti për Politikë dhe Financa do të përbëhet nga: Florentina Gjergjaj dhe Haxhi Sejdiu (AAK), ndërsa subjektet tjera do të përfaqësohen me nga një anëtarë duke përfshirë: Diana Qarkagjia (Alternativa), Bekim Jupa (PDK), Agon Batusha (VV), Bekim Ermeni (LDK), Anton Shala (PSHDK), Fazli Hoxha (Nisma) dhe Edmond Dushi (AKR).
Në vazhdim të seancës është formuar edhe Komiteti për Komunitete, në të cilin komitet obligohen të kenë edhe përfaqësues të minoriteteve të cilat jetojnë në komunën e Gjakovës. Kryesuesi Anton Shala, fillimisht ka bërë të ditur pesë emrat e pranuara, si të propozuara nga minoritetet, të cilët janë Fadil Podrimja, Elvane Qorri, Ifeta Jakupi, Senad Gushani dhe Zenel Hajdari. Këtyre pesë emrave, të cilët vinë si përfaqësues të jashtëm, u janë shtuar edhe katër emra të tjerë të propozuara nga subjektet më të mëdha përfaqësuese në kuvend, të cilët janë Isuf Osmani (AAK), Edi Puka (Alternativa), Dafina Syla- Dina (PDK) dhe Mimoza Shala (VV).
Në fund u propozuan edhe shefat e grupeve të subjekteve politike, e të cilët janë Muharrem Musa (AAK), Diana Qarkagjia (Alternativa), Bekim Jupa (PDK), Agon Batusha (VV), Bekim Ermeni (LDK), Zef Komani (PSHDK), Fazli Hoxha (Nisma), si dhe Edmond Dushi nga (AKR).