Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit të Komunës së Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit.
Anëtarët e KPF-së kanë diskutuar për pikat e caktuara të rendit të ditës, me ç ‘rast fillimisht është vendosur që pas rekomandimeve dhe plotësimeve të dhëna, formimi i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të kalojë për shqyrtim në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës.
Gjithashtu për shqyrtim në mbledhjen e Kuvendit Komunal kanë kaluar edhe kërkesat për formimit e Komisionit për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Komunale, si dhe kërkesa e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të subvencionuar klubin e futbollit Vëllaznimi në shumë prej 45 mijë euro.
Ndryshe nga këto kërkesa, me një votë më tepër për shqyrtim nuk ka kaluar propozimi për revokimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës 01 nr.400-49405, të datës 25.11.2016, për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e komunës së Gjakovës.
Në vazhdim të mbledhjes, është arritur që në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës të kalojnë për shqyrtim edhe kërkesa për formimin e Komitetit Komunal për Shndërrimin e Tokës Bujqësore në Tokë Jobujqësore, si dhe Plani Lokal i Veprimit për përfshirjen e Komuniteteve RAE të Komunës së Gjakovës për vitet 2018-2022.