Nën kryesimin e Kryesueses znj. Arbënesha Kuqi është mbajtur mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për këtë vit, ku u diskutuan dhe u miratuan me shumicë votash pikat e parapara në rendin e ditës, përfshirë dhe një pikë shtesë e propozuar në fillim të mbledhjes- Shqyrtimi i draft dokumentit Projekt Statuti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Pasuese e pikës hyrëse që zakonisht është shqyrtimi i procesverbalit, ishte pika- Pyetje për ekzekutivin, ku anëtarët e kuvendit parashtruan kërkesa që përgjithësisht ishin të natyrës infrastrukturore, e për të cilat përgjigjet i morën nga Kryetari i Komunës z. Ardian Gjini.
Pas kësaj, u diskutua mbi Draft Rregulloren për Bonuset e Zonimit, e cila paraprakisht u prezantua nga Udhëheqësja e sektorit për Zhvillim dhe Planifikim në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, znj. Elida Bejtullahu. Ajo theksoi se kjo rregullore mundëson kompensimin me marrëveshje, duke e përdorur bonusin si vegël, pa pasur qasje në buxhet, me qëllim të kursimit apo uljes së shpenzimeve të buxhetit komunal.
Ndërkaq, sa i takon pikës shtesë të kësaj mbledhje lidhur me Projekt Statutin e QKMF-së, elaborimin e draft dokumentit para të pranishmëve e bëri Menaxheri i Burimeve Njerëzore në Komunën e Gjakovës z.Kushtrim Brahimaj, po ashtu udhëheqës i komisionit për hartimin e draft dokumentit në fjalë.
Pikë përmbyllëse e kësaj mbledhje ishte- Informatë për planin e punës së njësisë së Auditimit të Brendshëm për vitin 2025, ku udhëheqësi i kësaj njësie z.Arbër Gola mes tjerash theksoi përpjekjen e vazhdueshme për zgjerim të fushëveprimit të kësaj njësie.