Organizata She-Era, në bashkëpunim me komunën e Gjakovës dhe organizatën “Let’s Do It Peja”, kanë organizuar sot Konsultim Publik në kuadër të realizimit “Uji i Pastër Gjakovë dhe Kukës”, projekt ky përmes së cilit në Gjakovë po investohen në rregullimin e shtratit të lumit “Llukac”
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili mes tjerash e ka përmendur rëndësinë që komuna e Gjakovës u ka kushtuar lumenjve e mjedisit në përgjithësi.
Kryetari Gjini ka përmendur investimet në lumin “Krena” dhe tani edhe në lumin “Llukac”, ndërsa ka shtuar se komuna planifikon që të investojë edhe më tepër në rregullimin e shtratit të lumenjve, por edhe në mbrojtjen e tyre nga ujërat e zeza, duke ndërtuar kolektorë dhe impiante tjerë, krahas impiantit kryesor që pritet të vihet në funksion këtë vit.
Ndryshe, Projekti ‘Uji i Pastër Gjakovë dhe Kukës’ ka filluar të zbatohet në janar të vitit 2020. Projekti zbatohet si pjesë e programit ndërkufitar Kosovë-Shqipëri dhe ka për qëllim përmirësimin e ambientit, përmirësimin e infrastrukturës së lumenjve, ndërtimin e politikave të qëndrueshme për mbrojtjen e lumenjve si dhe përpilimin e planeve për menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave.
Në Gjakovë tanimë ka filluar revitalizimi i një pjese të lumit Llukac. Në të njëjtën kohë ka përfunduar edhe hartëzimi i mbeturinave në lumenjtë e Gjakovës si dhe janë bërë matjet e para të cilësisë së ujit. Studimi i hartëzimit të mbeturinave ka identifikuar më shumë se 500 deponi ilegale përgjatë lumenjve në Komunën e Gjakovës.