Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Shefqet Shehu, është mbajtur mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2026.
Në fillim të mbledhjes u shqyrtua dhe u miratua procesverbali i mbledhjes së kaluar, të mbajtur më 31 mars 2026.
Në kuadër të pikës së pyetjeve parlamentare, anëtarët e Kuvendit parashtruan pyetje për ekzekutivin komunal, ndërsa përgjigjet u dhanë nga Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, dhe drejtorët komunalë, sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë.
Gjatë kësaj mbledhjeje u prezantuan, u diskutuan dhe u miratuan këto pika të rendit të ditës:
- Informata e parë periodike financiare për periudhën janar–mars 2026;
- Propozim-vendimi për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi;
- Propozim-vendimi për shqyrtimin dhe miratimin e raportit të Komisionit Komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera;
- Formimi i Komisionit Komunal të Aksionarëve për Ndërmarrjen Publike Lokale “Ngrohtorja e Qytetit”;
- Themelimi i Komisionit Komunal të Aksionarëve për Ndërmarrjen Publike Lokale KRM “Çabrati”;
- Themelimi i Komisionit Komunal të Aksionarëve për Ndërmarrjen Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve”;
- Shqyrtimi i Planit Komunal për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve në Komunën e Gjakovës për periudhën 2026–2028;
- Informatë për përgatitjet ndaj emergjencave në Komunën e Gjakovës.
Përmes shqyrtimit dhe miratimit të këtyre pikave, Kuvendi Komunal vazhdon të kontribuojë në avancimin e proceseve të rëndësishme për zhvillimin e komunës, forcimin e sigurisë, përmirësimin e shërbimeve publike dhe mirëqenien e qytetarëve të Gjakovës.