Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka pritur sot Burak Ceran, koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe koordinim “Tika”.
Z. Ceran e ka njoftuar kryetarin Gjini për projektet që TIKA po i realizon në Gjakovë, me ç ‘rast ka bërë me dije se tashmë kanë përfunduar punimet në Konviktin “Sadik Stavileci”, ndërsa janë në fazën e fundit të realizimit edhe projektet tjera, ndër to edhe restaurimi i Medresesë së Vogël dhe të disa xhamive.
Z. Ceran ka bërë me dije se TIKA është e interesuar për të vazhduar investimet në Gjakovë, ndërsa e ka përmendur restaurimin e objektit të mejtepit “Ruzhdie” si njërin prej projekteve të ardhshme të kësaj agjencie.
Nga ana tjetër, kryetari Gjini ka thënë se komuna e Gjakovës është mirënjohëse për të gjitha investimet që TIKA dhe shteti turk i kanë bërë në Gjakovë e gjithsesi që është i lumtur që këto investime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Kryetari Gjini e ka pritur me kënaqësi edhe lajmin për fillimin e punimeve në restaurimin e Mejtepit “Ruzhdie”, ndërsa ka njoftuar se pas restaurimit, ky objekt do tu ipet në shfrytëzim organizatave të ndryshme kulturore.
Sipas kryetarit Gjini komuna e Gjakovës ka projekte të jashtëzakonshme në këtë sektor, pasi përmes këtij sektori synon që pasurinë e trashëgimisë kulturore ta shendrojë në aset jo vetëm atraktiv por edhe fitimprurës për Gjakovën.