Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka marrë pjesë në Forumin e Zhvillimit Rajonal, me temë “Mundësitë e Bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, aktivitet ky që u organizua nga ministria e Zhvillimit Rajonal e republikës së Kosovës.
Si kryetar i njërës prej komunave kryesore të brezit kufitar kryetari Gjini ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tij dhe të qeverisjes lokale për të qenë promotor i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, gatishmëri e vullnet, që sipas kryetarit Gjini, nuk ka munguar për asnjë moment të vetëm në komunën e Gjakovës.
Kryetari Gjini ka shtuar se bashkëpunimi në mes të dy shteteve, e në veçanti në mes të komunave kufitare është duke u përmirësuar çdo ditë e më tepër, e ky përmirësim pritet të jetë edhe me i madh në të ardhmen ,kur pritet realizimi edhe i disa projekteve të mëdha, siç është edhe hekurudha që do të lidhë dy shtetet tona e që pritet të kalojë përmes komunës së Gjakovës.