Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini bashkë me drejtorët e drejtorive komunale, sot ka mbajtur debatin e parë publik, me ç ‘rast para qytetarëve të mbledhur ka paraqitur të arriturat e 6 muajve të parë të qeverisjes lokale si dhe ka shpalosur të gjitha idetë dhe projektet që presin të realizohen gradualisht në periudhat e ardhshme.
Kryetari Gjini fillimisht ka folur për problemet me infrastrukturë, kryesisht rrugore, probleme të cilat në masë të madhe janë përmendur edhe nga qytetarët. Lidhur me këtë çështje, kryetari Gjini ka thënë se komuna e ka si target që deri në fund të këtij mandati, të gjitha rrugët dhe rrugicat në tërë territorin e komunës të jenë të përfunduara.
Kryetari Gjini ka folur edhe për sektorët e arsimit dhe atë të zhvillimit ekonomik, si dy sektorë me prioritet afatgjatë për qeverisjen lokale. Në këtë temë, kryetari Gjini ka përmendur themelimin e Këshillit Konsultativ të Arsimit si dhe Këshillit të Partneritetit Publiko – Privat, organizma këto që do të ndikojnë në përmirësimin afatgjatë të arsimit, respektivisht do të ndikojnë në rritjen e zhvillimit ekonomik lokal. Në temën e zhvillimit ekonomik, kryetar Gjini ka përmendur edhe funksionalizimin e zonës industriale, gjë për të cilën tashmë ekziston edhe premtimi konkret i qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, gjatë debatit ka pasur edhe shumë pyetje nga qytetarët e pranishëm, të cilave u janë përgjigjur me përgjigje konkrete kryetari Gjini dhe drejtorët e drejtorive komunale.
E përveç pyetjeve, qytetarët kanë pasur edhe komentet e tyre për qeverisjen e deritashme, qeverisje e cila në tërësi është vlerësuar pozitivisht dhe në shërbim të plotë të qytetarëve.
Debati i dytë publik parashihet të mbahet në Dhjetor të këtij viti.