Falë edhe kushteve të mira atmosferike, kompani të shumta të përzgjedhura përmes procedurave tenderuese, këto ditë po punojnë me intensitet të shtuar në rregullimin dhe asfaltimin e shumë rrugëve anë e kënd komunës së Gjakovës.
Për të parë nga afër procesin e punimeve, sot në teren ka qëndruar kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike Shkumbin Kastrati dhe zyrtarë tjerë komunal.
Fillimisht kryetari Gjini ka inauguruar një rrugë në fshatin Firajë, e cila ka një gjatësi mbi 500 metra dhe ka kushtuar rreth 35 mijë euro. Sipas banorëve, kjo rrugë ndonëse jo në gjatësi të madhe, në të kaluarën shpesh herë ka qenë e pakalueshme për shkak të ujërave dhe baltës të grumbulluar aty.
Më tej janë inspektuar punimet në rrugën e brendshme të fshatit Dobrigje, në të cilën tashmë është përfunduar shtresa e parë e asfaltit në një gjatësi rreth 2 kilometra, ndërsa faza e dytë është paraparë të kryhet vitin tjetër.
Një rrugë e re në të cilët këto ditë kanë nisur punimet, është edhe ajo që lidh fshatin Zhabel me fshatin Maznik të komunës së Deçanit, rrugë e cila ka një gjatësi rreth 4 kilometra. Edhe në këtë rrugë po planifikohet që brenda javës të përfundojë zgjerimi dhe shtrimi i shtresës së parë të asfaltit, për të përfunduar si tërësi në projekt në pranverën e vitit të ardhshëm.
Inaugurimi i radhës gjatë ditës së sotme ka qenë ai i sheshit prapa ndërtesës së KEDS-it në Gjakovë, një projekt ky që ka kushtuar mbi 40 mijë euro dhe që përfshinë shtrimin me kubëza të një hapësirë rreth 2500 metra katrorë. Sikurse kryetari Gjini edhe banorët e kësaj pjese të qytetit kanë thënë se ky është një projekt i shumë pritur, i cili e rregullon në maksimum cilësinë e jetës për banorët e zonës.
Kryetari Gjini me bashkëpunëtorët e tij, gjatë ditës e ka inauguruar edhe një vend – ndalim të autobusëve, i cila në Gjakovë ka ardhur si donacion nga një kompani private. Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari Gjini ka thënë se komuna po planifikon që në një të ardhme të afërt të montohen disa vend- ndalime tjera të këtij llojit, pasi kjo gjë krijon kushte shumë më komode për qytetarët e në veçanti për nxënësit.