Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini si dhe zyrtarë tjerë qeveritarë e lokal, i janë bashkangjitur sot aksionit për pastrimin e një deponie në lagjen Carapatok në Gjakovë. Ky është njëri prej aksioneve të përditshme për pastrim, që komuna e Gjakovës dhe organizata të ndryshme joqeveritare po e ndërmarrin në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”.
Sikurse kryeministri Haradinaj ashtu edhe kryetari Gjini thanë me këtë rast se ata dhe institucionet që drejtojnë, po i përkrahin në maksimum të gjitha aksionet dhe fushatat që kanë të bëjnë me pastrimin e Kosovës, pasi tashmë është koha e fundit që të angazhohemi për një Kosovë më të pastër. Por, të dy shtuan se angazhime të tilla do të ishin të kota, nëse krahas me to nuk do të ngritët edhe vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtje të ambientit dhe mos hedhje të mbeturinave në vendet ku nuk duhet hedhur.
Kryeministri Haradinaj dhe kryetari Gjini, u zotuan se në të gjitha nivelet, shumë shpejtë do të fillojë shqiptimi i gjobave për të gjithë dëmtuesit e ambientit dhe hedhësit e mbeturinave.