Komuna e Gjakovës, sot ka filluar me ciklin e dëgjimeve buxhetore, në fshatrat dhe lagjet e Gjakovës, cikël ky që për qëllim ka të njoftojë banorët e komunës së Gjakovës për ndarjen buxhetore të vitit 2019 si dhe të marrë nga ta propozimet për ndërhyrje eventuale në këtë ndarje buxhetore.
Me pjesmarrjen edhe të kryetarit të komunës Ardian Gjini, takimi i parë është mbajtur në fshatin Cermian, me ç’rast para banorëve janë shpalosur projektet që komuna por edhe qeveria qëndrore kanë paraparë për këtë lokalitet.
Kryetari Gjini i ka njoftuar cermianasit se këto ditë qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro, mjete të cilat do të investohen në rregullimin e tërësishëm të rrjetit të kanalizimit për këtë fshat, ndërsa ka shtuar se gjatë vitit 2019 në Cermian do të investohet edhe në infrastrukurën rrugore, qoftë përmes planifikimit direkt, qoftë përmes kontratave kornizë, në të cilat përfshihet shtrimi me kubëza i rrugëve dhe trotuareve.
Planifikimi për ndërtimin e disa rrugëve u përmend edhe në fshatin Bec, fshat në të cilin u mbajt takimi i radhës i dëgjimeve buxhetore. Në këtë fshat u tha se gjatë vitit 2019 pritet të përfundojnë rrugët në lagjet Bajrushaj, Halilaj, Shabanaj, Alijaj dhe Hajdaraj.
Dëgjimet Buxhetore, do të vazhdojnë në regjionin e Hasit, me ç’rast do të ketë tubime në fshatrat Lipovec dhe Rogovë.
Ndryshe, sipas drejtorit të drejtorisë për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj, për vitin 2019 është planifikuar që shuma totale e investimeve kapitale nga komuna e Gjakovës të jetë rreth 7,2 milion, shumë kjo që pritet të rritet për disa herë, pasi janë edhe shumë investime nga niveli qëndror që janë planifikuar gjatë kësaj periudhe.