Në një ceremoni solemne të mbajtur në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ereniku”, u inaugurua për herë të parë në Komunën e Gjakovës Shërbimi i Kujdesit Paliativ, një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të shërbimeve shëndetësore në nivel lokal.
Ky shërbim jetësor do t’u ofrojë ndihmë, mbështetje dhe përkujdesje profesionale pacientëve me sëmundje kronike dhe të rënda, si dhe familjarëve të tyre në momentet më sfiduese.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, duke e cilësuar këtë ditë të rëndësishme për komunitetin, theksoi se:
“Kujdesi nuk ka të bëjë vetëm me shërimin, por me praninë dhe dinjitetin. Ndihem veçanërisht i lumtur që Gjakova, nga sot, po e bën këtë realitet. Komuna do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të ofruar shërbime të qasshme dhe me dinjitet për çdo qytetar.”
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Adelina Shehu Kola, në fjalën e saj u shpreh se:
“Shërbimi i kujdesit paliativ është një hallkë e domosdoshme në sistemin tonë shëndetësor. Ai siguron jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe mbështetje emocionale dhe psikologjike për pacientët dhe familjarët e tyre.”
Ky shërbim u mundësua falë bashkëfinancimit me Projektin Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Përfaqësuesi i këtij projekti, z. Nicu Fota, theksoi rëndësinë e partneritetit me komunat për avancimin e shërbimeve shëndetësore:
“Jemi krenarë që kemi kontribuar në këtë projekt që synon të ofrojë një standard të ri në përkujdesjen për pacientët me sëmundje të avancuara.”
Nga niveli qendror, z. Shaban Osmani, Udhëheqës i Divizionit për Kujdesin Parësor Shëndetësor, vlerësoi iniciativën si një model për komunat e tjera:
“Ky shërbim është një dëshmi se si bashkëpunimi ndërinstitucional mund të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët.”
Komuna e Gjakovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të barabarta për të gjithë, duke garantuar kujdes të vazhdueshëm për qytetarët, në çdo fazë të jetës së tyre.