Në Galerinë e Arteve në Gjakovë, u hap ekspozita “Mbrojtja dhe parandalimi i dhunës me bazë gjinore: Njih, Reago, Mbroj!”, e organizuar nga Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK), në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave”.
Në këtë ekspozitë, nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Gjakovës prezantuan punimet e tyre artistike, përmes të cilave përcollën mesazhe të fuqishme sensibilizuese mbi rëndësinë e parandalimit dhe reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore.
Gjatë hapjes së ekspozitës, udhëheqësi i ZKKK-së, z. Armend Behluli, theksoi se dhuna nuk është çështje private, por shoqërore; nuk është fat, por padrejtësi; dhe nuk është e pashmangshme, por e luftueshme, duke vënë në pah rolin e përbashkët të institucioneve, komunitetit dhe individëve në adresimin e kësaj dukurie.
Ekspozita mblodhi nxënës, mësues, aktivistë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe prindër, duke krijuar një hapësirë reflektimi, ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi për ndërtimin e një komuniteti më të sigurt dhe më solidar.
Ekspozita mbetet e hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë dhe të japin zërin e tyre në mbështetje të kauzës për mbrojtje, reagim dhe solidaritet kundër dhunës me bazë gjinore.