Drejtoresha e drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Saranda Hyseni, sot ka mbajtur një takim informues me përfaqësuesit e Organizatave Joqeveritare dhe të klubeve sportive të komunës së Gjakovës, para të cilëve e ka prezantuar rregulloren e re mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, konkretisht me ndryshimet e reja për subvencionimin e këtyre OJQ-ve.
Ndonëse njëzëri është pranuar se kjo rregullore parasheh më shumë procedura dhe vështirësi tjera për subvencionim e OJQ-ve, zyrtarët komunal megjithatë kanë shprehur bindjen se të gjitha OJQ-të dhe klubet sportive do të kenë mundësi të përfitojnë sadopak nga fondi komunal i subvencioneve.
Duke folur për këtë fond, që aktualisht është vetëm 55 mijë euro, drejtoresha Hyseni ka thënë se është e vetëdijshme me shumën e vogël të mjeteve në dispozicion dhe me nevojën e madhe të klubeve, megjithatë ka shprehur shpresën e saj se në të ardhmen ky fond do të jetë edhe më i madh.