Kryetari i Komunës Ardian Gjini, ka pritur në takim Komandantin e Stacionit Policor në Gjakovë Major Milazim Lumi dhe Komandantin e Njësisë Rajonale të Trafikut Kapitenin Albin Sahatqija, me të cilët u diskutua gjendja e trafikut në komunën tonë.
“Me zyrtarët policor diskutuam konkretisht për zhvillimin e komunikacionit rrugor me theks të veçantë tek parkimi dhe ndalja e veturave në rrugë dhe trotuare, një dukuri kjo mjaft shqetësuese kohëve të fundit. Si kryetar komune kërkova nga policia më shumë angazhim të pjesëtarëve të policisë në kontrollimin dhe parandalimin e parkimeve dhe ndaljeve në rrugë dhe trotuare, sidomos në disa pika më problematike në rrugët “Nënë Tereza”, “Skënderbeu”, “Yll Morina”, “Kolë Lleshi” “Bardhyl Çaushi”, në sheshin “Agron Rama” në lagjen e Spitalit si dhe në Çarshinë e madhe dhe shumë pika tjera. Gjatë takimit e falenderova Majorin Lumi dhe gjithë pjesëtarët e policisë për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm dhe u rikujtova faktin se bashkëpunimi në mes të komunës dhe Policisë së Kosovës është në nivelin më të lartë e gjithashtu edhe besimi i komunës dhe qytetarëve në policinë e Kosovës është i pa luhatshëm” është shprehur Kryetari Gjini lidhur me këtë takim.