Nën kryesimin e Kryesueses, znj. Arbënësha Kuqi, është mbajtur mbledhja e gjashtë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e Asamblesë shqyrtuan dhe diskutuan me përkushtim të gjitha pikat e rendit të ditës, të cilat u miratuan me shumicë votash.
Ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje, u veçua miratimi me shumicë votash i Kornizës Afatmesme Buxhetore të Shpenzimeve për periudhën 2026–2028, një dokument strategjik që përcakton drejtimet prioritare të investimeve dhe menaxhimit financiar për vitet në vijim.
Po ashtu, u miratuan në mënyrë unanime edhe tri propozime shtesë nga Kryetari i Komunës, z. Ardian Gjini:
Miratimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërkomunal ndërkombëtar mes Komunës së Gjakovës dhe Bashkisë së Lezhës.
Mbështetja financiare për Klubin e Futbollit Vëllaznimi.
Mbështetja financiare për Klubin e Basketbollit Vëllaznimi.
Anëtarët e Asamblesë Komunale shfrytëzuan këtë mbledhje për të parashtruar pyetje dhe për të dhënë propozime të ndryshme lidhur me pikat e rendit të ditës. Kryetari Gjini dhe pjesëtarët e tjerë të ekzekutivit iu përgjigjën me profesionalizëm dhe transparencë, duke dhënë sqarime të hollësishme dhe duke adresuar në mënyrë të plotë kërkesat e anëtarëve.