Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të Çlirimit të Gjakovës, Komuna e Gjakovës mirëpriti një delegacion të lartë nga Këshilli Bashkiak i Tropojës, i udhëhequr nga Kryetari z. Arbër Çakrraj. Pjesë e kesaj vizite ishte edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj.
Delegacioni u prit në një vizitë zyrtare nga Kryetari i Komunës, z. Ardian Gjini, bashkë me Kryesuesen e Kuvendit Komunal, znj. Arbënesha Kuqi – e cila gjithashtu ishte iniciatorja e realizimit të kësaj vizite. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin e ndërsjellë institucional dhe vlerat që lidhin qytetet tona përtej kufijve administrativë.
Në vijim të vizitës, u mbajt një takim i përbashkët ndërmjet Kuvendit të Komunës së Gjakovës dhe Këshillit Bashkiak të Tropojës. Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për mundësitë konkrete të shkëmbimit të përvojave mes dy kuvendeve, si dhe u theksua rëndësia e ruajtjes së lidhjeve historike, kulturore dhe vëllazërore mes Gjakovës dhe Tropojës.
Programi vazhdoi me homazhe në Parkun e Qytetit – “Shokët e Lirisë” në nderim të dëshmorëve dhe sakrificës për liri. Më pas, delegacioni vizitoi Muzeun Etnografik , ku për nder të kësaj vizite u mbajt një performancë artistike e veçantë nga Ansambli “Dardania” i ardhur nga Tropoja. Ky ansambël solli elemente të pasura të trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes këngëve, valleve dhe kostumeve tradicionale, duke përçuar mesazhin e unitetit dhe vëllazërisë ndërmjet dy komunave.
Komuna e Gjakovës mbetet e përkushtuar në forcimin e lidhjeve institucionale me komunat shqiptare kudo që janë, duke kultivuar bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe frymën kombëtare të bashkimit