Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka pritur sot në një vizitë njohëse ambasadorin e ri te Hungarisë shkëlqesinë e tij József Bencze, me të cilin ka biseduar për tema të ndryshme rreth komunës së Gjakovës, projektet në zhvillim e sipër si dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes të komunës së Gjakovës dhe ambasadës hungareze, respektivisht shtetit te Hungarisë.
Si temë kyqe e këtij takimi ishte ndihma që Hungaria do të ofrojë në mbështetje të projektit për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, konkretisht ndërrimin e gypave të vjetër të asbestit. Sipas ambasadorit Bencze Hungaria do të ofrojë një kredi të butë për qeverinë e Kosovës, mjete këto që do të dedikohen enkas për këtë projekt.
Kryetari Gjini dhe ambasadori Bencze kanë diskutuar edhe për mundësinë që ambasada hungareze ka ofruar për 75 studentë nga Kosova, duke u mundësuar atyre dhënien e bursave për të gjitha kategoritë e studimeve universitare.
Pas takimit, kryetari Gjini dhe ambasadori Bencze kanë vizituar disa nga projektet që po realizohen në komunën e Gjakovës, siç janë parku i madh i qytetit, shëtitorja në lumin “Krena”, rehabilitimi i rrugëve në Çarshinë e vjetër e të tjera.