Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), sot e ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë mandat, takim i cili është kryesuar nga kryetari i komunës Ardian Gjini.
Fillimisht nga ana e komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë major Kristë Gjokaj është dhënë raporti për gjendjen e sigurisë në komunën e Gjakovës. Sipas majorit Gjokaj, gjendja e sigurisë në komunën tonë është stabile dhe e qetë dhe kjo bën që Gjakova të jetë dukshëm më mirë se komunat tjera në këtë drejtim.
Më tej, anëtarët e KKSB-së kanë diskutuar për tema të ndryshme, ndërsa fokus i shtuar i është kushtuar sigurisë në shkolla, sigurisë në trafik dhe problemit me qentë endacak. Duke folur për këto tema, kryetari Gjini ka bërë të ditur se komuna është duke u angazhuar që në një të ardhme të afërt të pajisë me kamera të sigurisë të gjitha shkollat, e gjithashtu është duke u angazhuar që për 2 apo 3 muaj të nisë zgjidhja e problemit me parkingjet, anipse sipas kryetarit Gjini, ky është një problem shumë më i madh dhe që kërkon kohë më të gjatë deri në zgjidhjen përfundimtare.
Duke u fokusuar tek projektet e komunës dhe roli i KKSB-së, kryetari Gjini ka njoftuar se me përmirësimin e motit në Gjakovë do të fillojnë së realizuari shumë projekte infrastrukturore dhe kjo edhe mund të krijojë tollovi dhe momente të vështira kryesisht në trafik. Për këtë, kryetari Gjini e ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë akterëve, në mënyrë që kjo periudhë e investimeve të përballohet sa më lehtë nga ana e qytetarëve.