Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, sot ka pritur në takim një delegacion nga projekti i qeverisë zvicerane CDI, me të cilët ka bashkëbiseduar për projektet e përbashkëta që komuna e Gjakovës ka me qeverinë zvicerane në aspektin e rrjetit të ujësjellësit dhe sigurimit të ujit të pijes për banorët e komunës së Gjakovës.
Përfaqësuesi i CDI-së Alan Brown e ka njoftuar kryetarin Gjini me fazën në të cilën ndodhen disa prej këtyre projekteve dhe planet për vazhdimin e tyre. Brown ka bërë të ditur se tashmë kanë përfunduar projektet e ujit të pijes në regjionet e Dushkajës dhe të Rekës së Mirë, ndërsa është në fazën e fundit projekti për ujin e pijes në Rekën e Keqe, ku CDI-ja e ka financuar shtirjen e rrjetit në 28 fshatrat e këtij regjioni.
Por, në mënyrë që banorët e Rekës së Keqe ta furnizohen sa më shpejtë me ujë të pijes, Brown ka kërkuar nga komuna që të shlyej obligimet e veta të bashkëfinancimit për këtë projekt si dhe të angazhohet që të përfundojë sa më parë të projektit tjetër komunal, ai për sjelljen e ujit nga burimi në Bjeshkët e Botushës deri tek rrjeti i ri.
Lidhur me këto kërkesa, kryetari Gjini ka njoftuar se komuna është duke u angazhuar që pjesën e vet të bashkëfinancimit, në vlerë prej rreth 250 mijë euro, ta paguaj deri në muajin qershor, atëherë kur edhe është afati për pagesë. Sa i përket vazhdimit të projektit për furnizimin e rrjetit me ujë të pijes, kryetari Gjini ka bërë të ditur se punimet do të fillojnë në muajin maj, sapo të krijohen kushtet atmosferike në bjeshkë, ndërsa ka shtuar se ka disponim të mirë edhe te kryeministrit Haradinaj që qeveria e Kosovës të shtojë një pjesë të mjeteve, në mënyrë që ky projekt të përfundohet sa më parë dhe banorët e Rekës së Keqe të kenë ujë për pije deri në fund të vitit 2018.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe krye shefi ekzekutiv i KRU “Gjakova” Ismet Ahmeti, i cili ka thënë se kompania që ai drejton do të angazhohet maksimalisht dhe në të gjitha format që realizimin sa më të shpejtë të projekteve që kanë të bëjnë me ujin e pijes në komunën e Gjakovës.