Në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal, të mbajtur sot janë shqyrtuar katër pika të rendit të ditës, të cilat kryesisht kishin të bënin me çështje procedurale, më saktë lidhur me formimin e Komisioneve Komunale të Aksionarëve për tri Ndërmarrjet Publike, fillimisht për “Ngrohtoren e Qytetit”, për Ndërmarrjen Publike Komunale KRM “Çabrati” si dhe për Ndërmarrjen Publike Komunale “Stacioni i Autobusëve”.
Çështje të cilat ishin më bazike dhe me interes për qytetarët u diskutuan dhe u shqyrtuan në pikën e fundit të rendit të ditës në atë të ndryshme. Në këtë pikë u diskutua për mundësinë që rruga regjionale që lidhë Gjakovën me fshatrat e Dushkajës të kalojë nën kompetencat dhe mirëmbajtjen e ministrisë së Infrastrukturës, për faktin se komuna nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare për mirëmbajtjen e kësaj rruge në gjatësi prej 25 kilometrash.
Anëtarët e Kuvendit komunal kanë diskutuar edhe për situatën e banimit social. Rreth kësaj teme, kryetari i komunës Ardian Gjini ka thënë se komuna do të ndërtojë politika të mirëfillta dhe afatgjata të banimit social e gjithashtu edhe do të angazhohet që gjatë katër viteve të ardhme ta shtojë numrin e banesave sociale.
Si temë tjetër e diskutuar në këtë takim ishte edhe mungesa e ndriçimit publik në disa lokacione. Duke ju përgjigjur kësaj çështje të ngritur, kryetari i komunës Ardian Gjini ka thënë se komuna do të bëj përpjekje që të gjitha rrugët dhe rrugicat e komunës sonë të kenë ndriçim publik, përkundër faktit se shuma prej 120 mijë euro e ndarë për këtë qëllim në buxhetin e vitit 2018, në tërësi do të shkojë si pagesë e borxhit të papaguar nga ish – qeverisja në vitin 2017.