Në Bibliotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova” në Gjakovë u promovua libri më i ri i poetes Gresa Radoniqi Morina, me titull “Humbëtirave të Heshtjes”.
E lindur dhe e rritur në Gjakovë, autorja u rikthye në qytetin e saj me një vepër të re poetike, e cila trajton tema si heshtja, kujtesa dhe ndjeshmëria njerëzore, duke sjellë një kapitull të ri në krijimtarinë e saj letrare.
Në këtë mbrëmje letrare ishte e pranishme edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Nita Efendija-Brovina, e cila përshëndeti të pranishmit dhe uroi autoren për botimin e veprës së re, duke theksuar rëndësinë e promovimit të librit dhe mbështetjes së krijimtarisë letrare.
Promovimi u shoqërua me lexime poetike dhe vlerësime për autoren dhe veprën e saj, duke krijuar një atmosferë të veçantë letrare dhe një takim të bukur mes poezisë dhe publikut.

