Në kuadër të projektit “Bashkojmë urat e turizmit midis Lezhës dhe Gjakovës nëpërmjet trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjeve të zgjuara”, drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Ferdinand Kolaj, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Muzeut Arkeologjik të Lezhës.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Gonxhja, si dhe Përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Entela Sulka.
Inaugurimi i Muzeut Arkeologjik të Lezhës shënon një hap të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit kulturor dhe bashkëpunimit ndërkufitar.
Muzeu Arkeologjik i Lezhës dhe Oda e Zejtarisë në Gjakovë përfaqësojnë dy rezultate konkrete të projektit të përbashkët, të cilat kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes komuniteteve, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet Gjakovës dhe Lezhës.
Përmes projekteve të tilla, vazhdon të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy qyteteve, duke krijuar ura të reja komunikimi, zhvillimi dhe promovimi të vlerave të përbashkëta historike e kulturore.