Përfaqësues të institucioneve lokale, mësimdhënës, nxënës dhe prindër morën pjesë në një takim me temën “Roli i Edukimit në Ndërtimin e një Shoqërie me Barazi Gjinore”, të organizuar nga OJQ Nevo Koncepti në Komunën e Gjakovës.
Takimi u realizua në bashkëpunim me Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim, Zyrën për Barazi Gjinore, Zyrën e Avokatit të Popullit dhe Shkollën e Mesme të Ulët “Yll Morina”, me qëllim të promovimit të dialogut dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e edukimit në avancimin e barazisë gjinore.
Gjatë diskutimeve u trajtuan tema që lidhen me fuqizimin e të rinjve, krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku secili individ ka mundësi të zhvillojë potencialin e tij pa dallim gjinie.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rolit të shkollës, familjes dhe institucioneve në kultivimin e vlerave të barazisë, respektit dhe përfshirjes, si elemente thelbësore për zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe të drejtë.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Komuniteteve të Cenueshme të Kosovës përmes Qasjes më të Mirë dhe të Barabartë në Tregun e Punës – ADA”, i financuar nga Austrian Development Agency (ADA) me fonde të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, me mbështetjen e Save the Children dhe i zbatuar nga OJQ Nevo Koncepti.