Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka pritur në një takim zyrtar ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eri Dietz.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe institucioneve të Luksemburgut, si dhe për mbështetjen e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social dhe infrastrukturor të qytetit.
Kryetari Gjini e falënderoi ambasadorin Dietz për përkrahjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar partneritetin dhe kontributin e rëndësishëm në procese të ndryshme zhvillimore.
Nga ana e tij, ambasadori Dietz shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e iniciativave që kanë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve.
Komuna e Gjakovës mbetet e përkushtuar në forcimin e lidhjeve me partnerët ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim, investime dhe mirëqenie për qytetarët e saj.