Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Swisscontact dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës, Komuna e Gjakovës u përfaqësua në një vizitë studimore treditore në Grenoble të Francës nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ferdinand Kolaj, dhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adea Roka.
Gjatë qëndrimit në Francë, delegacioni zhvilloi takime me përfaqësues të komunave Les Déserts dhe Villard-de-Lans, ku u prit nga nënkryetarë dhe ekspertë të zhvillimit ekonomik lokal. Në këto takime u diskutua për praktikat e menaxhimit të taksës turistike dhe ndikimin e saj në zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe në mbështetjen e sektorit të turizmit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua potencialit dhe zhvillimit të sporteve malore, si element i rëndësishëm i ofertës turistike dhe i promovimit të destinacioneve natyrore.
Delegacioni i Komunës së Gjakovës mori pjesë gjithashtu në panairin ndërkombëtar të turizmit malor “Mountain Planet”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në nivel ndërkombëtar në fushën e turizmit dhe aktiviteteve malore, ku pati mundësinë të njihet me trendet më të fundit, praktikat inovative dhe modelet e suksesshme të zhvillimit turistik.
Kjo vizitë studimore ofroi përvoja dhe njohuri të vlefshme, të cilat do të shërbejnë si bazë për avancimin e politikave lokale në fushën e turizmit, zhvillimit ekonomik dhe promovimit të potencialeve të Komunës së Gjakovës.