Është mbajtur mbledhja e katërt e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2026, gjatë së cilës u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë pikash me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin e qytetit.
Në fillim të seancës u miratua procesverbali i mbledhjes paraprake dhe u zhvillua sesioni i pyetjeve për ekzekutivin, ku u diskutuan projekte infrastrukturore, përfshirë investimet në shkolla, ndërtimin e trotuareve dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, theksoi se investimet në infrastrukturë dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet, brenda kapaciteteve në dispozicion të komunës.
Gjatë mbledhjes u prezantua edhe raporti financiar për vitin 2025, ku u theksua se Komuna e Gjakovës kryeson me 34 për qind të buxhetit të dedikuar për investime kapitale, nga një buxhet total prej 43.3 milionë euro.
Po ashtu, u miratua bartja e të hyrave vetanake të pashpenzuara nga viti 2025 në buxhetin e vitit 2026, në vlerë prej 2,120,521.85 euro.
Me shumicë votash, Kuvendi zgjodhi Artan Berishën në pozitën e nënkryetarit të komunës për komunitete.
Në kuadër të rendit të ditës, u miratua edhe formimi i disa komisioneve për përzgjedhje, vlerësim dhe shqyrtim ankesash, në funksion të procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Gjithashtu, u miratuan vendimet për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë të pronave komunale, përfshirë lokalet afariste dhe parcelat e përcaktuara sipas rendit të ditës.
Në përmbyllje të seancës, u prezantua dhe u miratua Raporti i gjendjes së mjedisit për vitin 2025, dokument informativ dhe multisektorial me rëndësi të veçantë për planifikimin dhe avancimin e politikave mjedisore në komunë.