Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në Gjakovë u mbajt një Akademi Përkujtimore kushtuar figurave të shquara të arsimit, të cilët me kontributin dhe përkushtimin e tyre kanë dhënë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit shqip ndër vite.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Arsimit në Gjakovë në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjakovës. Akademia iu kushtua përvjetorëve të lindjes – 100, 110 dhe 120 vjet – të disa prej mësuesve dhe veprimtarëve që lanë gjurmë të rëndësishme në edukimin dhe arsimimin e brezave.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Gjakovës, ndër ta drejtori për Arsim Hysen Brahimaj dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla, të cilët theksuan rëndësinë e vlerësimit dhe ruajtjes së trashëgimisë së mësuesve që kanë ndërtuar themelet e arsimit shqip.
Po ashtu, në Galerinë e Arteve në Gjakovë u hap ekspozita “Shkolla shqipe ndër vite”, ku u prezantuan dokumente dhe fotografi që pasqyrojnë historinë dhe zhvillimin e arsimit ndër vite.