Kryetari i Komunës së Gjakovë, Ardian Gjini, ka pritur në takim pune Komandantin e Stacionit Policor në Gjakovë, Major Milazim Lumi, si dhe Komandantin e Trafikut Rajonal, Kapiten Albin Sahatqija.
Gjatë takimit, Kryetari Gjini u informua për angazhimin e përditshëm të Policia e Kosovës, në veçanti të Njësisë së Trafikut, në lirimin e hapësirave publike nga vozitësit e papërgjegjshëm – një dukuri që po shndërrohet në shqetësim serioz për qytetin.
Me këtë rast, palët u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit institucional me qëllim eliminimin e kësaj dukurie, e cila po shkakton ngecje dhe vështirësi në qarkullimin rrugor në Gjakovë. U theksua se parkimet në trotuare dhe në hapësira gjelbëruese nuk do të tolerohen.
Policia e Kosovës tashmë ka në funksion edhe vetura inteligjente, të cilat evidentojnë shkeljet dhe mundësojnë procesimin automatik të gjobave. Kryetari Gjini apeloi te të gjithë vozitësit që të respektojnë rregullat e trafikut dhe hapësirat publike, pasi shkeljet do të ndëshkohen sipas ligjit nga institucionet kompetente.