Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u mbajt akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Dr. Haki Dushit.
Në ceremoninë e lamtumirës së fundit morën pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të lartë të Komunës së Gjakovës, si dhe përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike.
Me këtë rast, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Shefqet Shehu, theksoi se Prof. Dr. Haki Dushi ishte një njeri dhe profesionist i jashtëzakonshëm, vepra dhe kontributi i të cilit do të lënë gjurmë të pashlyeshme për brezat e ardhshëm.
Prof. Dr. Haki Dushi shkollimin e mesëm e përfundoi në Pejë, studimet universitare në Beograd, ndërsa doktoraturën në Universitetin e Zagrebit. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai punoi në disa ndërmarrje, udhëhoqi BANKKOS – Degën në Gjakovë, ushtroi detyrën e Dekanit në Fakultetin Ekonomik dhe, pas pensionimit, për disa vite udhëhoqi Kolegjin “Globus”.