Si pasojë e reshjeve të shumta, lumenjtë në territorin e Komunës së Gjakovës kanë shkaktuar vërshime në disa zona të caktuara. Për menaxhimin e situatës është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.
Në disa lagje, përfshirë Dardaninë, Brekocin dhe Fshatin e Gjelbërt, janë kryer evakuime të familjeve të prekura. Për familjet që kanë nevojë për strehim, Komuna e Gjakovës po ofron akomodim të përkohshëm në banesat sociale.
Njësitë e Zjarrfikësve janë në terren gjatë gjithë kohës dhe po ndihmojnë qytetarët, ndërsa Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati” është angazhuar në pastrimin e urave dhe zonave më problematike. Situata po monitorohet edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka konfirmuar se gjendja është nën kontroll dhe se, fatmirësisht, nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Të gjitha ekipet emergjente janë në gjendje të plotë gatishmërie. Duke pasur parasysh se 24 orët e ardhshme pritet të jenë më të ndjeshme, Komuna e Gjakovës apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë lumenjve dhe të njoftojnë menjëherë ekipet emergjente, Policinë apo Zjarrfikësit për çdo situatë problematike.