Fushata “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore” është përmbyllur përmes një ekspozite të veprave artistike të krijuara nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ekspozita e hapur në Galerinë e Arteve solli para publikut krijime që pasqyrojnë përvojat, dhimbjen dhe guximin e grave që kanë përjetuar dhunë.
Drejtoresha e organizatës “Medica Kosova”, znj. Veprore Shehu, theksoi se çdo vepër arti e ekspozuar përfaqëson një zë të fuqishëm dhe një dëshmi të qëndresës dhe forcës së të mbijetuarave.
Pas ekspozitës, Mekanizmi Komunal Kundër Dhunës në Bazë Gjinore mbajti takimin përmbyllës të fushatës, gjatë të cilit u vlerësua angazhimi institucional dhe bashkëpunimi ndërsektorial gjatë gjithë periudhës së realizimit të aktiviteteve. Udhëheqësja e Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, znj. Lumnije Shllaku, falënderoi të gjithë anëtarët e mekanizmit për kontributin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm gjatë këtyre 16 ditëve të fushatës.