Është përmbyllur me sukses sesioni informues i organizuar nga Handikos Gjakovë, në kuadër të fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës në Baza Gjinore”. Ky aktivitet kishte në fokus temën “Aftësia e kufizuar dhe teknikat efektive të komunikimit”.
Gjatë sesionit, pjesëmarrësit patën mundësinë të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe mbi mënyrat e komunikimit efektiv me personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit institucional me qëllim të garantimit të trajtimit të barabartë dhe dinjitoz për këtë kategori të shoqërisë.
Përfaqësuesit e Handikos Gjakovë shprehën falënderime të veçanta për Udhëheqësen e Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, znj. Lumnije Shllaku, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit, për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë në realizimin e këtij aktiviteti informues.