Në Gjakovë është hapur zyrtarisht fushata “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore”, e cila organizohet në vazhdimësi nga Mekanizmi Komunal Kundër Dhunës në Familje. Kjo fushatë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e angazhimit të përbashkët institucional dhe shoqëror për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.
Me këtë rast, Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve dhe komunitetit në luftimin e dhunës në bazë gjinore, duke potencuar se vetëm përmes veprimit të përbashkët mund të arrihen rezultate të qëndrueshme.
Në ceremoninë hapëse ishin të pranishme të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë Komunën e Gjakovës, Policinë, Prokurorinë, si dhe partnerë të tjerë institucionalë dhe shoqërorë, të cilët konfirmuan përkushtimin e tyre ndaj parandalimit dhe trajtimit të dhunës.
Pas fjalimeve, u hap ekspozita pamore me 16 instalacione, secila prej tyre e shoqëruar me mesazhe autentike nga viktima të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Këto instalacione paraqesin histori reale dhe shërbejnë si një kujtesë e fuqishme se dhuna nuk është vetëm statistikë, por përvoja njerëzore që kërkojnë mbrojtje, drejtësi dhe solidaritet.