Në kuadër të fushatës për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit, nën organizimin e Udhëheqëses së Sektorit për të Drejta të Njeriut – Barazi Gjinore, znj. Lumnije Shllaku, u mbajt seanca “Këshillime psikologjike falas për gratë e prekura nga kanceri i gjirit”.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të ofronte mbështetje emocionale për gratë që përballen me diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke krijuar një ambient të sigurt për ndarje ndjenjash dhe diskutim strategjish përballuese.
Psikologia Shpresa Frrokaj prezantoi teknika praktike për menaxhimin e stresit dhe emocioneve, përfshirë frymëmarrjen e thellë për qetësim, mbajtjen e shënimeve personale dhe rëndësinë e kujdesit për veten.
Seanca u pasurua me aktivitete relaksuese që ndihmuan pjesëmarrëset të ndihen më të lehtësuara, të dëgjuara dhe të inkurajuara në rrugëtimin e tyre.
Pjesëmarrëset vlerësuan lart rëndësinë e këtij takimi dhe shprehën dëshirën që seanca të tilla të organizohen në baza mujore, duke i konsideruar si mbështetje të vyer për mirëqenien e tyre emocionale.