Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim në Gjakovë ka nënshkruar kontratat me katër organizatat joqeveritare fituese të subvencioneve, me një vlerë totale prej 10,000 eurosh, në kuadër të zbatimit të Planit Lokal të Veprimit për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve 2024–2026.
Pas përfundimit të procedurave për dhënien e subvencioneve, përfitues janë: OJQ Perspektiva me projektin “Film i metrazhit të shkurtër kundër heshtjes”; OJQ Roma in Action me projektin “Bashkë për përfshirje”; OJQ Prosperiteti me projektin “Fokusi Ynë – Platforma mediale për informimin dhe sensibilizimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian”; dhe OJQ United Boys of Gjakova me projektin “Promovimi i të rinjve Rom, Ashkali dhe Egjiptian përmes sportit”.
Qëllimi i këtyre subvencioneve është mbështetja e projekteve që nxisin përfshirjen aktive të komuniteteve, fuqizimin e mediave dhe rinisë, si dhe promovimin e sportit, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor. Këto fusha, të përcaktuara në Planin Lokal të Veprimit, përbëjnë prioritet në procesin e integrimit të komuniteteve në komunën e Gjakovës.